Thursday, March 27, 2008
FOTOGRAFIA “PORTRET FEMRE” E KRISTAQ SOTIRIT
(derguar per blogun tone nga Qerim Vrioni, studiues i fotografise)
Një portret interesant i fotografisë shqiptare të shekullit të kaluar, mendoj se është edhe “Portret femre” (1922) i fotografit të njohur korçar Kristaq Sotiri (1883-1970). Këtij i takon një vend i nderuar në artin e fotografisë shqiptare, sidomos në fushë të portretit. Brenda objektivit të aparatit të tij kanë nëpërkaluar imazhet e shumë njerëzve të qytetit të Korcës dhe krahinave përreth, të njohur e “me grada”, por edhe të panjohur, lypsarë e endacakë e, shpesh shumë dhëndurë e nuse të reja ditën e martesës. Të gjithëve, ai synonte t’u ndehte mbi letrën fotografike karakteristikat e tyre më jetësore psikologjike, intelektuale e morale. Këtë ai e ka arritur me sukses në numrin e madh të fotoportreteve të goditur të cilat janë “hipotekuar” si një pasuri e vyer në fondin e fotografisë shqiptare.
Këtë femër gjithë nur, Sotiri e ka fotografuar në vitin 1922, dy vjet pasi ishte kthyer në Korcë, në vendlindjen e tij, nga Amerika e largët. Në qytetin e origjinës, ai përshtati një pjesë të katit të parë të shtëpisë për atelie fotografike, duke krijuar kësisoj shumë të njohurën “Studio Sotiri” me gjurmë të thella jo vetëm në anën nostalgjike të bashkësisë korcare, por vecanërisht në lëm të fotografisë artistike të vendit. Kristaq Sotiri, punonte vazhdimisht, ngadalë e plot pasion dhe përdorte për fotografim zakonisht negativë xhami me përmasa 13x18 cm. Prej tyre imazhet “i hidhte” drejtpërdrejt në letrën fotografike, pa i kaluar nëpër zmadhues, duke arritur kështu edhe pastërti të lartë teknike
Fotografia “Portret femre” paraqet një vajzë qytetare, e cila pozon ulur në studion e Sotirit. Ajo qendron me trupin pothuaj ballas e me kokë të kthyer përanash nga e djathta. Duartë e vajzës janë përngrirë në foto në një gjendje tipike shplodhjeje a pritjeje, të bashkuara e mbi prehër. Femra, përgjithësisht, edhe këtu është e brishtë e, këtë Sotiri e shpreh, përvec të tjerave, me qendrimin e saj të paqtë, por edhe me katër të bardhat e shallit të pelushit, dy në krah dhe dy në gjymtyrët e poshtëm. Vetë sendi “pelush”( “i shtrirë” mbi letrën fotografike), krijon te truri i shikuesit të fotos, në mënyrë të pavetëdijshme, një ndërthurrje të vecantë optiko-ndjesore të butësisë, cka i shkon mjaft për shtat femrës. Ka të ngjarë që më parë ky send (pelushi fizik), të ketë vepruar po ashtu mbi nënvetdijen e fotografit dhe, ai me kënaqësi, e ka lënë mbi trupin e modeles sic ishte, madje edhe me një farë simetrie (kjo jo fortë e pëlqyshme nga fotografët).
Pas “përplasjes” së parë me foton, shikimi mbetet tek e bardha e kraharorit, mandej cek të bardhën mbi flokë, rrotullohet duke prekur katër të bardhat e pelushit e, dic më shumë qendron paskëtaj tek profili tërheqës e vecanërisht te lakorja e butë dhe e ëmbël e qafës. Linja e jashtëme grafike e fotoportretit është e thyer, por përsëri ajo nuk “indukton” ashpërsi, përkundrazi, këtë edhe në saje të përkuljes së lehtë të kokës së vajzës.
Sotiri punonte me filma bardhë e zi dhe i kushtonte rëndësi të dorës së parë ndricimit të objektit. Ai përdorte ndricimin e kombinuar, duke vepruar me disa burime drite për të krijuar hijet, kontrastet, tonet e gjysmë tonet, përherë në funksion të idesë së tij për cka po fotografonte. Ndricimi i vajzës në këtë foto, ashtu si zakonisht në punimet e Sotirit, paraqitet i gërshetuar dhe i butë, pra pa kontraste të forta. Artisti-fotograf përdor këtu disa burime drite, më i forti është ai nga e djathta e portretit e që ndricon pjesën ballore të figurës. Burim tjetër drite i gjetur mirë është dhe ai sipër modelit që “derdhet” mbi të duke krijuar argjendimin e këndshëm të flokëve mbi ballë. Sfondi i errët i fotos, i jep dorë artistit të pahtësojë sa më mirë pamjen e vajzës. Portreti përfaqëson mirë e bukur “femrën”, ndonëse nuk ve në dukje hire karakteristike të “gjysmës së botës”. Po ashtu, një shikues i thekur i fotografive mund të ngacmohet në fantazinë e tij, për ta përfytyruar vajzën, madje edhe duke ecur e folur.
Vajza e Sotirit, shpërfaq një vështrim të përqendruar e të natyrshëm, ndoshta sheh dicka që i ngroh shpirtin. Nga veshja e saj me shije krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një vajzë qyteti e nga ndonjë familje e kamur dhe, po ashtu na duket sikur është në pritje të ndonjë dickaje të gëzueshme. Gjithashtu, stolitë, gjerdani i gjatë, vathët dhe byzykyku, tregojnë se ajo ka sqimë të vecantë. Dy vijat e errëta, thuaj vertikale të gjerdanit të gjatë e përmirësojnë grafikisht pamjen e pjesës së sipërme te trupit. Si fotograf me shpirt e mendje artisti, Sotiri, ndonëse jo në moshë rinore, duke fotografuar, ka shkrirë kënaqësinë e profesionit (teknike e artistike) me ëndjen e soditjes së një femre kaq tërheqëse. Dhe, nga kjo ngjizje natyrshëm u krijua një fotoportret i tillë i këndshëm që të mbetet gjatë në sytë e mendjes.
“Portret femre” mund ta quajmë edhe si një përfaqësim simbolik të vajzës korcare të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, hijeshia e së cilës ka nxitur krijimin e aq këngëve dhe serenatave për të. Ndoshta, kjo a ndonjë vërsnike e saj, ka frymëzuar djaloshin e dashuruar të qytetit të këndonte plot patos “O moj korcare sa e bukur je!”, e cila dëgjohet me nostalgji dhe kënaqësi edhe sot e gjithë ditës e jo vetëm në Korcë.
Një ekzemplar origjinal i dalë nga dora e mjeshtrit-artist dhe e ruajtur mirë nga familja e tij me përmasa 13x18 cm., është ekspozuar për herë të fundit në konkursin fotografik “Marubi 2003” (prill 2003) në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Aty publiku dashamir i fotografisë mundi të shihte edhe një pjesë të madhe të krijimtarisë së Kristaq Sotirit.
Duke vështruar thellë e ngeshëm fotografinë, mendojmë se ky “portret femre” ka forcë ndikuese për të “embëlsuar” a zbutur sadopak gjendjen shpirtërore të shikuesit të saj. E, kjo nuk është gjë e vogël, madje përbën një nga vlerat artistike të fotografisë në përgjithësi, por sidomos të portretit në vecanti.
Mund të themi se ky fotoportret përbën një poezi të ndier lirike kushtuar femrës e shkruar me gjuhën e artit të fotografisë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
3 comments:
nje fotografi teper interesante. e vetmja e mete nga ana kompozicionale, eshte "prerja" e kokes ne pjesen e siperme te fotos.
gjithsesi mbetet nje portret grishes.
Projekt 5.6 falenderon z. Qerim Vrioni, qe me pasionin e tij po nxjerr ne pah emra dhe deshmi te zhvillimit te fotografise shqiptare, ende e panjohur mire. Fale komunikimit me internet eshte bere e mundur kjo korrespondence dhe fakti qe edhe ne te shijojme bukurine e kesaj fotoje 'pe Çarli", si i thoshin ne Korçe Kristaq Sotirit, i cili qe ne ate kohe ishte nje deshmi e shkembimeve te vendit tone me boten ne fushen e krijimtarise ne fotografi.
Here pas here ne do te botojme deshmi apo edhe shkrime te cilitdo qe do deshiroje te na i dergoje ne adresen: info@projekt56.com
Le t'i shermbejme fotografise shqiptare, qe edhe ajo te na e shperbleje,
Pershendetje, Projekt 5.6
Post a Comment